Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu ka folur rreth situatës së fundit të krijuar në veri dhe rreth asaj nëse Ushtria e Kosovës mund të shkojë në veri.
Ai shtoi se si një ndër shkruesit e Kushtetutës, siguron që neni 126, përkatësisht pika 1 e obligon ushtrinë që ta mbrojë vendin tonë si tërësi, përcjell lajmi.net.
Këto deklarime i bëri në një paraqitje në RTV Dukagjini, teksa shtoi se akti më i lartë juridik i vendit është më i madh sesa marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa komentoi edhe atë mes ish-presidentit Thaçi dhe ish-sekretarit të NATO-s, Rassmusen.
“Ushtria ka për detyrë vetëm ta njoftojë KFOR-in: ne po shkojmë në veri. Sa i përket asaj a ka të drejtë ose jo, e ka obligim. Neni 126, pika 1 ia garanton këtë. Unë, si një prej tekstshkruesve të Kushtetutës e them me plot bindje që ushtria ka të drejtë të shkojë, por vetëm duhet ta njoftojë KFOR-in. E ka obligim kushtetues të përkujdeset për vendin në tërësi. Po e zëmë për shembull, çka nëse ndodh ndonjë tragjedi natyrore, për të cilën gjë ushtria jonë është e specializuar”, shtoi ndër tjerash ai.