Kongresistja republikane, Elissa Slotkin, ka reaguar për vendosjen e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.
Slotkin në një shkrim në rrjetin social “X”, ka thënë se vendosja e forcave shtesë të NATO-s në Kosovë kishte për qëllim t’i dërgonte një mesazh Serbisë, që t’i tërheq trupat nga kufiri.
Ajo theksoi se provokimet e Serbisë janë një shqetësim për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për popullatën shqiptare.
Sipas Slotkin, SHBA-ja dhe NATO-ja duhet të vazhdojnë të jenë mbrojtës të sovranitetit të Kosovës dhe t’i mbajnë përgjegjës të gjithë sulmuesit që kërcënojnë sigurinë e Kosovës, shkruan Telegrafi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se “nuk e ka ndër mend ta urdhërojë ushtrinë” të kalojë kufirin me Kosovën dhe se do t’i tërheqë forcat serbe nga ajo pjesë, duke pretenduar se nuk është e vërtetë se Serbia po e dërgon ushtrinë në kufi.
Ai nënvizoi se përshkallëzimi i konfliktit do të ishte “kundërproduktiv kur bëhet fjalë për dëshirën e Serbisë” për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Vuçiqi i quajti joproporcionale paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se se numri i forcave serbe në terren “është duke u zvogëluar.”
Ndërkaq të martën, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.
Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se me disa persona të panjohur, kanë kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” si dhe me “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.
MPB-ja serbe tha se Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, por nuk dha më shumë detaje.
The deployment of additional NATO forces to Kosovo was intended to send a message to Serbia — pull your troops back from the Kosovo border. Serbia’s provocations are a strain on Kosovo’s citizens, especially the Albanian population with strong ties to Michigan.
— Rep. Elissa Slotkin (@RepSlotkin) October 3, 2023