Profesori universitar britanik nga “Westminster University”, Aidan Heir ka përgëzuar Policinë dhe Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e situatës me 24 shtator, kur forcat terroriste serbe sulmuan policinë.
Ai për lajmet e fundit në RTK tha, se policia është përgëzuar nga një numër i madh shtetesh në gjithë botën, për intervenimin dhe shkathtësitë e treguara për të nxjerr provat dhe për të saktësuare prejardhjen e municioneve të grupit terrorist.
“Provat duken të jenë shumë të qarta, pamjet që janë nxjerrë nga droni, paraqesin goxha qartë, që ky operacion është planifikuar paraprakisht. Kemi pasur me vite paralajmërime që diçka po planifikohej. Pak më herët një deputete britanike kishte ngritur shqetësime për sa i përket përdorimit të manastireve për të ruajtur armatimin. Në çdo moment presidenti Vuçiq dhe Qeveri e Serbisë e kanë mohuar këtë. Por, kjo e fundit e nënvizon faktin se Qeveria e Kosovës ka pasur të drejtë gjatë gjithë kohës, që negociatat me Serbinë të vazhdojnë në barazinë e palëve”, tha ai.
Ndërkaq duke folur për dyshimet për përdorimin e makinave amerikane Humvee nga grupi terrorist, makina këto që ishin dhënë Serbisë donacion nga SHBA, Heir thotë se kjo dëshmon për një gabim strategjik të Uashingtonit ndaj Beogradit.
“Tashmë kjo është ekspozuar si një gabim madhor strategjik. Është lajm i mirë që nuk është vonë që të bëhen hapa përpara. Amerika shpresoj që po e rimendon aleancën e vet me Vuçiqin dhe politiken e përkëdheljes se tij, dhe shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Bruksel. Fakti që Vuçiq ka qenë kaq i qartë në përgatitjen e operacionit tregon përbuzjen që ai ka për SHBA-të”, tha ai.