Në një deklaratë të fundit për media, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Matthew Miller, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë verifikuar ende tërheqjen e personelit dhe pajisjeve ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën.
“Ne kemi parë raportet se Serbia ka tërhequr pajisjet e personelit ushtarak larg kufirit. Ne ende nuk i kemi verifikuar ato në mënyrë të pavarur dhe do të kërkojmë konfirmim të mëtejshëm, por nëse është e vërtetë, ky do të ishte një hap i mirëpritur”. – deklaroi ai gjatë konferencës ditore për shtyp të Departamentit të Shtetit.
Ndërkohë, ai theksoi se Uashingtoni është i shqetësuar për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe bëri thirrje që palët që t’i kthehen në dialogut të lehtësuar nga BE.
“Ne vazhdojmë të jemi të shqetësuar për ciklin e rritjes së tensioneve dhe dhunës sporadike në veri të Kosovës dhe inkurajojmë të dyja palët t’i kthehen në dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”. – deklaroi ai.
Kujtojmë se vetëm pak më parë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë në CNN se paralajmërimet e ShBA-së për grumbullimin e pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë Kosovës “nuk ishin plotësisht të sakta”.
Ndonëse Shtëpia e Bardhë tha se kishin vëzhguar vendosje të madhe të “artilerisë serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë” pranë kufirit me Kosovën, Vuçiq e quajti këtë një“gënjeshtër të pastër”, pasi sipas tij, “kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedime”.
“Dërgimi i trupave nga Serbia në vijën administrative është një gënjeshtër e pastër. . . Serbia nuk do të përfitonte prej saj pasi kjo do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e sponsorizuara nga BE-ja me Kosovën.” – deklaroi Vuçiq ditë më parë për Financial Times.
Vuçiq gjithashtu pretendoi se numri i forcave serbe pranë kufirit me Kosovën ishte në rënie. “Vitin e kaluar kemi pasur 14,000 burra pranë vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000.” – pohoi ai.
Shqetësimin për shtimin e trupave ushtarake pranë kufirit me Kosovën e ka shprehur të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Kirby e përshkroi situatën si një “inskenim të paprecedentë të artilerisë, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë serbe” në kufirin me Kosovën dhe e quajti atë një “zhvillim shumë destabilizues”.