Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se kriminelët që sulmuan Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit, janë me nënshtetësi serbe.
Ai i ka bërë thirrje Serbisë që t’ua dorëzojë ata autoriteteve të drejtësisë në Kosovë. Në një intervistë për median boshnjake, Hayat, shefi i ekzekutivit tha se, në këtë mes, Beogradi ishte klient i këtyre terroristëve.
“Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i dorëzojë anëtarët e tjerë që nuk janë vrarë dhe nuk janë arrestuar në vuajtje të dënimit pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan ta destabilizonin Kosovën. Ata nuk ia dolën, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ballafaqohen me drejtësinë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Ndonëse Beogradi dha urdhërin, sipas Kurtit, reagimi i Policisë së Kosovës dëshmoi se kriminelët “nuk kanë shans” me policinë tonë.
“Beogradi zyrtar ka dhënë urdhrin për të sulmuar Kosovën, por mendoj se tani e kanë kuptuar se organizatat dhe bandat e tilla terroriste nuk kanë asnjë shans me policinë tonë. Mos harroni se këto nuk janë banda kontrabandë dhe as qytetarë të thjeshtë që kanë rrokur armët. Këto janë forca profesionale që kanë luftuar kushedi ku më parë dhe tani kanë ardhur të luftojnë në Kosovë”.
Kurti ka komentuar edhe faktin se Moska ka mund të jetë e përfshirë në sulmin terrorist, për çka ai tha se është e mundur, dhe se këtë e dëshmon takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus në Beograd, një ditë pas sulmit.