Skandali i ministres Hajdari me kartelat e MINT-it, prokuroria konfirmon vjedhjen në banesën e saj

Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar vjedhjen e ndodhur në banesën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari.

Kryeprokurori i Prishtinës Kujtim Munishi, tha për Klankosova.tv se rasti ka ndodhur të dielën.

“Rasti është hapur si “Vjedhje e rëndë””, tha Munishi.

Ai nuk dha më tepër detaje rreth rastit pos asaj se janë duke u kryer hetimet e nevojshme.

Vjedhja në banesën e të parës së MINT-it është konfirmuar edhe nga policia.

Në raportin 24 orësh shkruan:

“Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të panjohur kanë depërtuar në banesën e saj dhe nga aty kanë kryer vjedhje. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në raport.

Sipas raportimeve të gazetës Sinjali, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Hajdarit i janë vjedhur 2 mijë e 500 euro, dokumente personale përfshirë edhe një kartelë bankare që takon MINT-it.