Ministri i Mbrojtjes për Grupin e Radojiçiqit: U duk sulm terrorist, por ishte plan për pushtimin e një pjese të Veriut

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se Qeveria e Kosovës ka siguruar prova dhe fakte që vërtetojnë se ajo që ndodhi të dielën në Banjskë ishte një plan i mirëorganizuar ushtarak për të pushtuar një pjesë të territorit në veri të Kosovës.

Maqedonci u shpreh se ai që në fillim u perceptua si një sulm terrorist, rezultoi në fakt një plan ushtarak që do të zbatohej gradualisht nga njësi paraushtarake të ndihmuara drejtpërdrejtë nga shteti dhe ushtria serbe.

“Në fillim është dukur si një sulm terrorist, por pas gjetjes së armatimit dhe dokumente rezulton se është një plan i mirëfilltë ushtarak që është dashur të zbatohet nga njësi paraushtarake të ndihmuara nga shteti serb. Planet që hanë gjetur kanë shenja teknike tërësisht ushtarake, armët kanë qenë për të qëndruar më gjatë, për t’u mbrojtur me qëllim final pushtimin e një pjese të veriut të Kosovës. Janë armë që përdoren nga ushtri të ndryshme, të gjitha të prodhuara në republikën e Serbisë që nuk janë armë që i shiten individëve por janë të destinuara për ushtrinë që duan një aprovim shtetëror për shitjen e tyre. Ndaj ushtria serbe i ka sponsporizuar dhe i ka ndihmuar në gjithë operacionin”, tha ministri i mbrojtjes në Euronews albania.

Më 24 shkurt, një grup terrorist kishte sulmuar Policinë e Kosovës, duke e vrarë policin Afrim Bunjakun, që tashmë është hero i Kosovës.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Milan Radojçiq, që ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Kjo parti politike kishte shpallur ditë zie për terroristët, njëjtë siç ka vepruar edhe Beogradi zyrtar./Express