Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, ka marrë vendim për suspendimin nga detyra për një afat 30 ditor të drejtorit të RTK2, Zhelko Tvërdishiq.
Bordi i RTK-së ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme dhe pas një diskutimi të detajuar dhe një analize të situatës rreth kronikës së transmetuar në lajmet e RTK2 (kanali në gjuhën serbe) me datë 28 shtator 2023, pas propozimit nga drejtori i përgjithshëm, Bordi i RTK-së në mënyrë unanime ka vendosur për suspendimin nga detyra për një afat 30 ditor të drejtorit të Tvërdishiq, dhe sipas tyre kjo masë është marrë në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
“Gjatë kësaj periudhe, menaxhmenti i RTK-së do të kryejë një analizë të hollësishme të situatës dhe të raportimit në përgjithësi, me qëllim që të identifikohen të gjitha shkeljet e mundshme të standardeve profesionale dhe të merren masat e duhura për t’i korrigjuar. Po ashtu, masa të tjera disiplinore do të ndërmerren ndaj të gjithë individëve përfshirë në shkeljet e raportimit profesional dhe që janë të përcaktuara në ligjet dhe rregulloret me të cilat operon RTK.” – thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se kryetari i Bordit të RTK-së me datën 24 shtator përmes një e-maili ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm dhe rrjedhimisht nga të gjitha njësitë që të kenë kujdes të shtuar dhe vigjilencë në raport me situatën, si dhe të raportojnë me profesionalizëm.
“Bordi i RTK-së vazhdon të mbështesë lirinë e medieve, profesionalizmin dhe integritetin e raportimit të pavarur, dhe është i vendosur të sigurojë që të gjitha veprimet të përputhen me këto parime dhe me Ligjin për RTK dhe frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës.” – thuhet ndër të tjera në komunikatën e bordit të RTK-së.