Ish-koloneli i ushtrisë amerikane, Gian Gentile, thotë se grupi i armatosur nësulmin e 24 shtatorit në Banjskë ishte pajisur si një këmbësori ushtarake prej 120 apo 130 ushtarësh dhe se kishte potencial për të shkaktuar dëme të mëdha ndaj infrastukturës civile në Banjskë dhe forcave policore.
Pasi analizoi fotografitë dhe listën e armatimit të konfiskuar nga Policia e Kosovës – pas sulmit që la një polic të vrarë në pjesën veriore të vendit – drejtori i asociuar në Divizionin për Kërkime Ushtarake në institutin amerikan RAND Corporation, Gentile, thotë se është befasuar nga prezenca e disa prej llojeve të armëve.
“Kishte fotografi të mortajave 60-milimetërshe. Këto janë armë ushtarake dhe janë efektive ndaj një këmbësorie të armatosur lehtë në anën tjetër. Por, s’do të ishin efektive nëse dëshiron ta ndalësh një tank, për shembull”, thotë Gentile për REL.
Sulmi në Banjskë ndodhi natën mes 23 dhe 24 shtatorit kur grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës në fshatin e komunës së Zveçanit, duke lënë një polic të vrarë.
Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues.
Gentile beson se armatimi i konfiskuar nuk do të ishte shumë efektiv ndaj objekteve të përforcuara, si bunkerët, por thotë se, në një sulm ndaj një grupi të policëve, armatimi do të ishte shumë efektiv.
“Nëse qëllimi juaj i vetëm do të ishte mbijetesa, do të ishte më mirë të ishit në anën e sulmuesve me këto lloje të armëve. Llojet e armëve në fotografitë që m’i dërguat [të ekspozuara nga Policia e Kosovës], do ta shkatërronin një forcë lehtë të armatosur policore me vetëm pistoleta dhe ndoshta pushkë”, thotë Gentile.
Ai shton se forcat e policisë nuk kanë pajisje të nivelit të tillë ushtarak as në SHBA dhe se armatimi i tillë do të mund ta dëmtonte rëndë infrastrukturën civile, si shtëpitë përreth Manastirit të Banjskës, ku u strehuan sulmuesit.
“Kjo më shkoi në mendje… që këto janë llojet e armëve, pajisjeve dhe sistemeve me të cilat do të ishte e pajisur një kompani këmbësorie, e jo një forcë policore”, thotë Gentile, i cili shërbeu disa vite si profesor në akademinë ushtarake të SHBA-së, Westpoint.
Në Manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, dy automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë, po ashtu, për terrene malore, tha Policia e Kosovës.
Përveç dy motorëve, për të cilët thotë se nuk kanë ndonjë vlerë ushtarake pasi që vozitësi i tyre do të ishte i ekspozuar ndaj sulmeve, Gentile thotë se armatimi i konfiskuar është i llojit që ende përdoret kudo në botë.
“Ushtarët ukrainas dhe rusë patjetër që përdorin mortaja të kalibrit të vogël, mortaja 80-milimetërshe, dhe raketahedhës automatikë. Pastaj, edhe mitralozët [përdoren]. Kështu që, po, do të thosha që këto sisteme definitivisht përdoren nga forcat ushtarake edhe sot”, thotë Gentile.
Për përdorimin e disa prej pajisjeve të konfiskuara, Gentile thotë se nuk do të duhej as trajnim i gjatë. Njohuritë bazike për përdorim të armëve do të mjaftonin. Por, sipas tij, gjërat do të komplikoheshin nëse ato do të duhej të pastroheshin dhe të ripërdoreshin.
“Pastaj, kur flasim për eksplozivët e llojit C4. Dikush do të duhej të dinte se si të vendoste një tel shpërthyes aty, si ta instalojë pa e eksploduar veten”, thotë Gentile.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 27 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vlera e armatimit të konfiskuar është mbi pesë milionë euro. Por, i gjithë ky armatim i konfiskuar mund të shkatërrohet.
Sipas Kodit të Procedurës Penale në Kosovë, armatimi i konfiskuar mund të shkatërrohet, por mund edhe të shfrytëzohet nga organet e vendit.
Policia e Kosovës tha se vendimi për fatin e këtij armatimi “do të lëshohet nga organet e drejtësisë pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara ligjore”.
“Në raste të mëhershme me armë të konfiskuara, kur kanë përfunduar të gjitha procedurat lidhur me to, janë ndërmarrë veprime të ndryshme. Në shumicën e herëve janë shkatërruar”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Së fundi, armë të konfiskuara ishin shkrirë më 20 shtator – katër ditë para sulmit në Banjskë – dhe ishin përdorur për të prodhuar kapakë pusetash.