A paralajmëroi mes rreshtash Kurti se mund ta dërgojë FSK-në në veri?

Zhvillime të reja në vendin tonë, në veçanti pas telefonatave që arritën këtu nga ana tjetër e oqeanit Atlantik.

Kujtojmë, mbrëmë vonë, gjithmonë me kohën tonë lokale, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Biden, Jack Sullivan diskutoi me kryeministrin Kurti mbi mobilizimin ushtarak të Serbisë në kufi me Kosovën, përcjell lajmi.net.

Nuk shkoi shumë dhe këtë çështje edhe publikisht e komentoi vetë shefi i ekzekutivit.

Ai fillimisht falënderoi autoritetet amerikane për angazhimin, duke thënë se kemi nevojë për mbështetje të madhe, duke parë lëvizjet e fundit të Serbisë.

Gjithashtu, Kurti komentoi edhe çështjen e marrëveshjes së vitit 2013 mes atëbotë kryeministrit Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Në letër-shkëmbimin gjegjës, Thaçi i pat garantuar NATO-s se FSK-ja do të ndërmarrë misioni në veri vetëm në bashkëpunim me KFOR-in.

Lidhëzja POR…

“POR” në gjuhën shqipe nuk është kundërshtuese, por nënkupton që mund të ketë përjashtime, nga pjesa e parë e fjalisë. Dhe kështu tha Kurti kur foli rreth kësaj çështjeje.

“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata praninë e NATO-s, KFOR-it atje. Për këtë akt të agresionit ndaj republikës sonë, Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë që ajo nuk është ndëshkuar për krimet e saj, ajo i ka përsëritur ato dhe kjo nuk duhet lejuar”, tha Kurti.

Çka nënkupton kjo?

Mbase kryeministri po mendon për opsione të tjera, por qartazi shihet se flet për atë të FSK nuk mund të futet në veri pa miratimin e KFOR-it. Kushedi, mbase edhe mund të ketë ndonjë marrëveshje tjetër, shkaku i zhvillimeve.

Kujtojmë, duhet kujtuar me patjetër që ShBA dhe Britania e Madhe tashmë kanë vënë trupa të tjerë në pozicion, për t’i dalë në ndihmë KFOR-it, si mision i NATO-së në vendin tonë.