Shtëpia e Bardhë ka publikuar një deklaratë rreth telefonatës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe këshilltarit të presidentit Biden për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, ku tregohet se për çfarë është biseduar.
Në deklaratë thuhet se Sullivani shprehu ngushëllime për humbjen e një zyrtari policor të Kosovës, Afrim Bunjaku, në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme që ndodhën më 24 shtator.
“Ai gjithashtu shprehu shqetësim për mobilizimet e ushtrisë serbe afër kufirit të Kosovës”- thuhet në deklaratë.
Sipas njoftimit, Sullivani i vuri në pah vendimet e marra rishtazi nga NATO-ja për t’i fuqizuar praninë dhe aktivitetin e KFOR-it, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, dhe “e nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për t’u siguruar që KFOR-i mbetet me burime të duhura për ta përmbushur misionin e tij”.
Për më tepër, në deklaratë thuhet se Sullivani dhe Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës e Serbisë, për të cilin zyrtari amerikan theksoi se është zgjidhja e vetme afatgjate për ta siguruar stabilitetin në mbarë Kosovën.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka treguar për bisedën telefonike Jake Sullivan.
Përmes një shkrimi në Twitter, Kurti ka njoftuar se e ka falënderuar Sullivanin për mbështetjen e ShBA-së në sigurinë kufitare, teksa kërkoi ndihmë më të madhe kundër siç tha ai, planeve luftarake të Serbisë.
“Thirrje inkurajuese me Jake Sullivan. E falënderova ShBA-në për mbështetjen ndaj sigurisë kufitare të Kosovës dhe kërkova ndihmë të shtuar kundër planeve luftarake të Serbisë. E siguroi atë për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur.” – ka shkruar Kurti.