Ish-deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Mustafa ka thënë se Kosova duhet t’i kërkojë NATO-s t’i demilitarizojë manastiret serbe në Kosovë.
Remi ka thënë se KFOR-i bashkë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in duhet t’i inspektojnë dhe demilitarizojnë manastiret dhe murgjit serbë në Kosovë.
Ai shtoi se Serbia historikisht ka përdorur manastiret për qëllime nacionaliste.
“KFOR-i bashkë me Policinë e Kosovës,dhe EULEX-in të udhëheqë në inspektimin dhe të bëjë demilitarizimin e murgjeve (manastireve) serbe në Kosovë është një hap i rëndësishëm për sigurinë në rajon. Historikisht, Serbia ka përdorur manastiret për qëllime nacionaliste dhe, siç dëshmon sulmi i fundit terrorist, edhe për shërbime të këqija grupeve terroriste. Armët e gjetura në Manastirin e Banjskës tregojnë se ky vend është shfrytëzuar nga grupet terroriste, të cilat janë mbështetur nga Serbia”, ka shkruar Musrafa.
Tutje, ai ka thënë se inspektimi në manastire duhet të ndodhë menjëherë.
“KFOR-i duhet të veprojë menjëherë për të inspektuar të gjitha manastiret dhe për të çlirojë këto vendet të shenjta nga prania e armëve dhe bandave terroriste. Ky veprim do të rriste besimin dhe sigurinë e qytetarëve në Kosovë. Është koha që të gjitha pjesët e Kosovës të jenë të lira nga kërcënimi i terrorizmit”, ka shkruar ai.