Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duket të mos jetë aspak në linjë me presidenten Osmani sa i përket Asociacionit.
Përderisa pak ditë më herët, Osmani pohoi se i njëjti mund të bëhet nëse draftohet në bashkëpunim me ShBA-në, Kurti thotë se i njëjti është ide e Serbisë, përcjell lajmi.net.
Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane, Neue Zürcher Zeitung ka shtuar se Bashkësia e Komunave Serbe është ide serbe.
“Ideja u soll në Kosovë nga Serbia”, shtoi ai në këtë intervistë duke shtuar se kërkesa për një Asociacion të tillë “nuk vjen nga popullata serbe e Kosovës”.
Me patjetër se u pyet edhe për sulmin terrorist, duke hedhur topin kah Serbia. Kreu i ekzekutivit vlerësoi se Serbia po përpiqet ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor.
“Serbia po përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor. Grupi paraushtarak është padyshim një grup i padëshiruar i Wagner, armatimi i të cilit është atipik për policinë. Stërvitja e luftëtarëve me shumë mundësi është zhvilluar në Serbi”, procedoi ndër tjerash.