Me pamje e dokumente: Si u dëshmua që Serbia qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë?

Qysh në fillim ishte pothuajse e ditur. Megjithatë, pasi kaluan pak ditë nga sulmi terrorist në Banjskë, po konfirmohet se Serbia qëndron prapa grupit të armatosur që qëlluan mbi policin Afrim Bunjaku, e njësitet e tjera të Policisë së Kosovës.

Fillimisht, nëpërmjet pamjeve të dronit të Policisë u konfirmua se lider i grupit terrorist ishte Milan Radojiçiq. Në ato pamje shihet se nënkryetari i Listës Serbe e personi i afërt me presidentin serb, e organizoi gjithë grupin. Pamjet i publikoi në rrjete sociale, ministri Xhelal Sveçla.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, shkroi ministri Sveçla dje në rrjete sociale.

E gjatë ditës së sotme ministri Sveçla publikoi disa dokumente të cilat gjithashtu tregojnë se Beogradi zyrtar e mbështeti grupin terrorist. Fillimisht, u publikua një dokument që dëshmon se njëri nga të vrarët e grupit terrorist, ishte roje e shefit të BIA-s në Serbi, Aleksandar Vulin.

“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, ka shkruar Sveçla në rrjete sociale.

E dokumenti tjetër i publikuar nga ministri i Brendshëm tregon se armatimi ishte dhënë nga Ushtria e Serbisë. Policia ka gjetur një dokument që tregon se dorëzimi i lansuesit të granatave për grupin terrorist, ishte bërë me vulë e nënshkrim nga ushtria serbe.

“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit. Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”, shkroi ministri i brendshëm.

Gjatë ditës së djeshme është kuptuar që nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, ishte pjesë e sulmit terrorist. Ai shihej në disa pamje të publikuara edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla.

Në anën tjetër, Serbia ka shpallur ditë zie dje për terroristët e vrarë. Ky veprim është cilësuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si luftënxitës.

Gjatë një përplasje të policisë me terroristet në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit ka mbetur i vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Pas kësaj ngjarje njësitet speciale Policisë së Kosovës kanë ndërmarr një aksion ku kanë zmbrapsur grupit terrorist. Gjatë aksioni policia ka vrarë tre anëtare të grupit dhe një e kishte plagosur.

Më pas, policia ka arrestuar edhe dy persona tjerë që dyshohen se kanë lidhje me grupin.

Për këta të fundit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të iu caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Dushan Maksimoviqit dhe Blagoje Spasojeviqit dyshohen për veprën penale kundër rendit kushtetutës në Kosovë.

Një ditë më parë, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh edhe terroristit të arrestuar. Seanca për të ishte mbajtur në QKUK./Nacionale