Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Serbisë, Sonja Biserko në një intervistë për median malazeze CdM, ka folur për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Biserko thotë se qëllimi i sulmit ishte ndarja e Kosovës.
Biserko për CdM, tha se sulmi ishte i pritur dhe i paralajmëruar që disa kohë, madje edhe nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Grafiti ‘Kur ushtria kthehet në Kosovë’ si paralajmërim kishin vërshuar jo vetëm Beogradin, por edhe brendësinë e Serbisë. Pastaj fjalimi i presidentit Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, toni dhe mesazhi i tij – e gjithë kjo tregonte se diçka është duke u përgatitur. Beogradi ka qenë gjithmonë transparent në synimet e tij, si në vitet e 90-ta kur u nis për të shkatërruar Jugosllavinë, çdo veprim dhe synim ishte më i paralajmëruar në media”, shpjegoi qartë Biserko.
Intelektualja serbe potencon se me zbardhjen e informacioneve, po kuptohet se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt që më pas ushtria serbe të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe në këtë mënyrë ta realizojë ndarjen e Kosovës.
Tutje, ajo tha se ndajra e Kosovës është një opsion që përkrahet nga të gjithë në Serbi, nga elita politike, akademike, ushtria, mediat etj.
Zonja Biserko thotë se kjo situatë nuk është provokuar nga kryeministri Kurti.
“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që Perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, thotë Biserko, transmeton Telegrafi.
Ajo shtoi se Radioçiq është i shtrirë në Spitalin Ushtarak të Beogradit.
“Nëse Vuçiqi jo, i cili pretendon se nuk e dinte se çfarë po ndodhte, atëherë shtrohet pyetja se kush është figura kryesore në Beograd. Hetimi konfirmon se bëhet fjalë për një grup të mirë-pajisur (automjetet luftarake i përkasin Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe një arsenal armësh, sipas vlerësimeve, për 200 persona) dhe të stërvitur mirë të drejtuar nga Radoiçiq, i cili përndryshe është nën sanksione amerikane. Mësohet se ai është i plagosur dhe ndodhet në VMA [Spitalin Ushtarak]. Identiteti i të arrestuarve ende nuk është bërë i ditur, por ka të ngjarë, siç bëjnë me dije disa analistë, që shumë prej tyre të kenë qenë edhe në fushën e betejës ukrainase në anën ruse”, thotë Biserko./Nacionale