Pasi të vërtetohen të gjitha rrethanat dhe faktet e asaj që ka ndodhur më 24 shtator në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të marrin vendime rreth masave dhe hapave të mundshëm.
Kështu deklaroi më 27 shtator zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth kërkesave të disa shteteve anëtare për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Tash kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës, pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohen dhe përmbyllen hetimet. Dhe kur të kemi pasqyrën e qartë nga hetimet, çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, pasi kjo të jetë e qartë do të marrim vendimet e duhura”, tha sot Stano.
Kundër kësaj ka dalë eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, i cili iu kërkoi shteteve të BE-së të ndalojnë zbutjen ndaj Serbisë dhe të autokratëve.
“Kjo është e pajustifikueshme! Ndaloni këtë zbutje krejtësisht katastrofike të autokratëve dhe destabilizuesve. Ju lutem shtetet anëtare të Këshillit të BE-së; korrigjoni këtë kurs tani! Stop zbutjes!”, ka shkruar Reuten në X.