Kurti njofton për vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë sot

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar lidhur me vendimet që janë marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, e cila nisi me një minutë heshtje, në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku.

Postimin e ka filluar me vendimin për ndarjen e 50 mijë eurove për familjen e rreshterit Bunjaku.

Në vazhdim të postimit ka treguar për vendimet e tjera që janë miratuar.

Postimi i plotë:

Mbledhjen e 162-të të Qeverisë e filluam me një minutë heshtje, në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit të Republikës, Afrim Bunjaku.

Ndamë 50 mijë euro për t’i dalë në ndihmë familjes së rreshterit Afrim Bunjaku.

Themeluam Këshillin Shtetëror për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Po e nisim rindërtimin dhe renovimin e shtëpive individuale për familjet të cilave u janë dëmtuar shtëpitë gjatë viteve 1998-1999 në veri të vendit.

Ndamë:

– 6 milionë euro shtesë për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë;

– 5 milionë euro për mbështetjen e qytetarëve për pajisje elektro-shtëpiake efiçiente;

– 1.4 milion euro për renovim të klinikave të QKUK-së;

– 1.1 milion euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi për 14 komuna, e 386 fermerë.

Për lehtësimin e tregtisë në vend, miratuam Planin e Dritares së Vetme Kombëtare për Kosovën.

Për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, miratuam vendimin përfundimtar për shpronësim. Hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së zotimeve për Lojërat Mesdhetare 2030.

Për konservimin dhe investimin në Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, miratuam vendimin për shpronësim.

Për të përmbushur detyrimet e Qeverisë ndaj pronës publike, zëvendësuam bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes Trepça Sh.A..

Aprovuam Ligjin për Administrimin e Procedurave Tatimore.

Miratuam dy nisma për marrëveshje ndërkombëtare:

– Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta II-IV;

– Projekti “Korniza e Qyteteve të Gjelbra 2. Dritarja 2. Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prishtinë.