Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Koha të bëhemi bashkë kundër terrorizmit, por na duhen aleatë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur sot rreth takimit që ka pasur me presidenten Vjosa Osmani.

“Të dashur qytetarë, mbrëmë kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm”.

Abdixhiku tha se tani është koha që Kosova të bashkohet politikisht në betejën kundër terrorizmit, porse për këtë i duhen aleatët.

“Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”.

Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka përfunduar ai.