Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, duke komentuar sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se në Rashkë të Serbisë ka pasur një kamp ushtarak.
Rashiq ka thënë se aty disa njerëz janë përgatitur për diçka.
“Ka qenë ashtu, para 3 muajsh, pas rrëzimit të barikadave, ka ekzistuar një informatë, e mora edhe nga zëvendësi im Radimoraviq, se po krijohet një bindje, se ka indikacione se ka armatim në formën që ka spekulime dhe besohet që ka një kamp afër kufirit në Rashkë, ku disa njerëz po veprojnë sipas ushtrimeve militare, ku do të përgatitet për diçka. Për veprimin që ka ndodh të dielën nuk e kam ditë nuk kam dëgju”, u shpreh ai në RTVDukagjini.
Tutje, ai ka thënë se Lista Serbe është armiku më i madh i serbëve të Kosovës.
“Lista Serbe janë armiqtë më të mëdhenj të serbëve të Kosovës, zhvendosja më masive po ndodhin në kohën kur Lista Serbe është në pushtet. Lista Serbe është degë e SNS-it të Beogradit. Do kemi dëm të pariparueshëm. Për fuqinë e Listës Serbe, nuk ka faj vetëm Beogradi e Brukseli por edhe Prishtina”, ka thënë tutje ai.