Për deputetin e Kuvendi të Kosovës, e gjithë ngjarja që ndodhi të dielën ku humbi jetën reshteri Afrim Bunjaku ishte skenar i përbashkët midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“12 orë luftime, nuk u ndez asnjë alarm në ato fshatra. Tani vjen edhe reagimi i Vuçiqit në raport me situatën. Para ca kohe, kur u sulmua KFOR-i në atë tollovinë, dha urdhër për t’u afruar ushtria e Serbisë. Atë ditë nuk e dha. Ky është një skenar i përbashkët i atyre që ulen në tavolinën e bisedimeve. I katër personave që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës. Ata kanë nevojë për një skenar të tillë. Duhet me u rehabilitu si ndërmjetësues evropian dhe me u liru nga presioni për ta bërë Asociacionin që e kanë miratuar në Bruksel, Ohër dhe Bratislavë. Duhet me ble kohë që kjo mos me ndodh derisa të hymë në proces zgjedhor dhe këta diplomatë që kanë dështuar në ndërmjetësimin e çështjes së Kosovës, që kanë marrë nga ‘all in one’ me njohje dhe e kanë kthy marrëveshjen që s’ka as njohje, as ndryshim kushtetues në Serbi dhe e ke një situatë ku asnjëra palë s’i pranojnë detyrimet në marrëveshje”, ka thënë Berisha në KTV.
Më tutje ai ka thënë se duhet të tregohet se si u la të largohet “Milan Radojçiqi nga Banjska”.
“E gjitha kjo ishte me kriju kohë e me dhënë imazh sikur Albini po i ndjek këta. Albini s’po i ndjek, negocoi për lëshimin e tyre. Të presim raport zyrtar Kush e liroj Radojçiqin që po e shfaq Xhelal Sveçla. Kush e lejoi të tërhiqet”, ka thënë Berisha.