E konfirmuar: Përfundon operacioni i policisë së Kosovës në Banjskë

Ka përfunduar tashmë operacioni i Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Këtë vetëm para pak çastesh, për lajmi.net e konfirmoi drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani shtoi se sa i përket kontrollimit, gjithçka është e kryer, ndërsa nesër do të vendoset si do procedohet tutje.

“Po, operacioni sa i përket kontrollimit dhe mbledhjes së të dhënave ka përfunduar. Nesër, dikur pas orës 09:00, do të vendoset si do të procedohet tutje”, tha Elshani për lajmi.net.

Kujtojmë se autoritetet kosovare tash e dy ditë kanë qenë në një operacion në Banjskë të Zveçanit, atje ku u përballën me terroristë të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, për të cilin raportohet të jetë i shtrirë në spitalin ushtarak të Beogradit, aty ku pretendohet se po merr trajtimin pas plagosjes që pësoi në Banjskë.

Fatkeqësisht, nga ky sulm terrorist, një polic kosovar ka gjetur vdekjen. Afrim Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë, dje u varros me nderime shtetërore, ndërsa fëmijët e tij pranua nga presidentja Osmani dekoratën e titullit hero.