Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku për pasojë vdiq rreshteri Afrim Bunjaku.
Derisa ka njoftuar për telefonatat, Chollet tha se kryeministrit Kurti i shprehu ngushëllime për vdekjen e Bunjakut; Vuçiqit, në anën tjetër, ia ka theksuar nevojën për de-eskalim të situatës në veri.
Të dyve u ka thënë se është e rëndësishme që të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.
“Fola me KM Albin Kurti pas sulmit të tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënova ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit”, ka shkruar këshilltari i DASh, në njoftim për bisedën me Kurtin.
Spoke with PM @albinkurti of the heinous attack Sunday in Kosovo. Strongly condemned violence against Kosovo Police; expressed condolences on the loss of Sergeant Afrim Bunjaku. Both sides must return to the EU-facilitated Dialogue and implement Ohrid commitments.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 26, 2023
Kurse për Vuçiqin, Chollet duket se ka pasur kritika më të ashpra.
“Fola me Presidentin Vuçiq për nevojën e de-eskalimit të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës dhe shmangies së veprimeve që mund të nxisin tensione të mëtejshme. Humbja tragjike nënvizon nevojën urgjente për të vendosur qetësinë dhe për t’ju kthyer dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Chollet.
Spoke to President Vucic @predsednikrs on the importance of immediate de-escalation in the north of Kosovo and avoiding actions which could further inflame tensions. The tragic loss of life underscores the urgent need to restore calm and return to the EU-facilitated Dialogue.
— Derek Chollet (@CounselorDOS) September 26, 2023