Policia e Kosovës gjatë kontrollit të terrenit ka gjetur të hënën arsenal tjetër të armëve, që besohet se është hedhur gjatë ikjes së terroristëve për në Serbi.
Siç mëson Paparaci, armët që janë gjetur në Bajnskë të Zveçanit janë snajperë 12.7mm, zolla, murtaja, kallashnikovë, si dhe jelekë anti-plumbë.
Sasia ende nuk është numëruar, por llogaritet të jetë e madhe, tregojnë burimet e gazetës brenda organeve të sigurisë.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa fotografi të armëve që i përkisnin grupit terrorist të cilat i konfiskoi Policia e Kosovës.
Shefi i qeverisë tha se kjo nuk lë vend për dyshime që Serbia e ka mbështetur këtë grup.
”Këto armë dhe pajisje të nivelit ushtarak – të sekuestruara nga Policia e Kosovës. Operacioni antiterror i pas sulmit të djeshëm – nuk lini vend për dyshime: Autorët vepruan jo vetëm, por me mbështetjen e shtetit”, shkroi ai në platformën “X”.
“Serbia duhet të mbahet plotësisht përgjegjëse për sponsorizonim e dhunës terroriste në territorin e Kosovës”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës pak më parë ka arrestuar dy persona në një hotel në Banjskë të Zveçanit. Ata u arrestuan sonte, pasi dyshohen për armëmbajtje pa leje.
Sipas PK-së, hetimet do të tregojnë nëse ky rast ka lidhje me sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, në të cilin u vra një polic i Kosovës, teksa u tha se Policia beson se këta persona janë të punësuar në hotel.
Gjetja e armëve vjen një ditë pasi rreshteri Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit.
Një grup i armatosur e terrorist sipas autoriteteve të Kosovës dhe të mbështetur nga Serbia, u përleshën të dielën me Policinë në manastirin e Banjskës.
Deri më tani, Policia tha se katër sulmues të dyshuar janë vrarë, kurse gjashtë persona janë arrestuar.