Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale po vazhdojnë ekzaminimet në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u zhvillua aksioni policor pas sulmeve të një grupi terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku dhe dy polic të tjerë u lënduan.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar gjetjen edhe të një trupi të pajetë të grupit terrorist. Sipas njoftimit të Prokurorisë, janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armatimit.
Lajmi i plotë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat relevantë, ka udhëhequr veprimet hetuese edhe gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes – në Banjskë të Zveçanit.
Rrjedhimisht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, konfirmon se, që nga momenti kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist dhe deri në këto momente, Prokurori i rastit, Naim Abazi, ishte i pranishëm intensivisht në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë sa më adekuate, të cilat do të ndriçojnë tërësisht rrjedhën fatkeqe të rastis të djeshëm terrorist.
Faktikisht, PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale.