Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë për agresionin ndaj Kosovës.
Pas ngjarjes tragjike, ku ka mbetur i vrarë një polic i Kosovës në fshatin Basnjska të Leposaviqit nga grupet e armatosura serbe, Konjufca ka shkruar se ky është sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues.
Konjufca ka thënë se autorët e këtij krimi, duhet urgjentisht të sillen para drejtësisë, për çka u ka bërë thirrje edhe institucioneve të drejtësisë për veprim.
Ky është shkrimi i plotë i Konjufcës:
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Lajmi është dhënë nga kryeministri Albin Kurti përmes rrjeteve sociale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore.
E dënoj ashpër sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia nga i cili një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.
Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë.
Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.
Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë.
Autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq i ftoj institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë.