Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale. E si pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjera, apo duke plagosur veten aksidentalisht.
Një rast i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Dresnik të Klinës, ku një person dyshohet se është vetëplagosur.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë kanë bërë me dije se 35-vjeçari është dërguar atje me plagë që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga arma.
Pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të gjendjes shëndetësore, ai është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e të dyshuarit.
Sipas 35-vjeçarit, gjatë kohës që po manipulonte me armën e gjahut të babait të tij, aksidentalisht e ka plagosur veten në këmbë.
Arma në fjalë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.