Ekipi i Klubit të Futbollit të Femrave ‘Jakova’ gjatë kthimit nga një aktivitet në Shqipëri ka pësuar aksident me autobus i cili është rrokullisur në afërsi të Junikut.
Si pasojë e këtij aksidenti një pjesë e ekipit janë lënduar dhe kanë marrë trajtimin në Spitalin e Gjakovës.
Trajneri i skuadrës, Naim Kamberi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se autobusi që po i bartte ata ka rrëshqitur, ndërsa theksoi se një futbolliste është lënduar më rëndë, por të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.
“Kemi rrëshqitur me autobus. Aksidenti ndodhi për shkak të gjendjes kushteve të papërshtatshme të rrugës. Në momentin kur kemi qenë duke u kthyer pas ndeshjes. Prej gjithë ekipit, vetëm njëra prej tyre ka pësuar lëndime më të rënda, të tjerat kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe janë lëshuar për në shtëpi. Kapitenia e skuadrës që është lënduar më rëndë ka vetëm ndrydhje” – deklaroi trajneri Naim Kamberi.
KFF Jakova në Shqipëri është përballur me ekipin e femrave të Partizanit të Tiranës.
Në lidhje me këtë aksident ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Kosovës e cila ka shprehur keqardhjen për aksidentin, duke iu uruar kështu të lënduarve shërim të shpejtë.