Dy vëllezërit N. Dhe L. Veliu në Rahovec, pasditen e së martës i zuri një sherr, i cili mund të përfundonte edhe me fatalitet.
Ata pas një zënke verbale u plagosën me armë zjarri dhe si pasojë u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa të dyshuarit u dorëzuan në Polici. E.Sylka dhe Em. Sylka, përfunduan në ndalim dhe ndaj tyre është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata ka vendosur ta aprovojë kërkesën e Prokurorisë, me ç’rast ndaj tyre, është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti verbal mes palëve, e që më pas situata kishte eskaluar kur Em.Sylka ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vëllezërve Veliu.
Nga Policia në Gjakovë thanë të martën se janë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar gjashtë armë zjarri dhe municion.
Ndërkohë dy viktimat po trajtohen në spital, ku sipas burimeve të Sinjalit, njëri nga ta është në gjendje më të rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.