Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se kritikat që vijnë nga Prishtina për ndërmjetësuesit perëndimorë, “kanë bazë”.
Sipas tij, është vetë qasja e ndërmjetësuesve të dialogut ajo që “e ka shtyrë Prishtinën t’u thotë ‘jo’ disa propozimeve të tyre”.
“Këtu kemi një kombinim të paraqitjes fatkeqe dhe jostrategjike të autoriteteve të Prishtinës, si dhe arsyen e justifikueshme të pakënaqësisë me kornizën e përgjithshme të negociatave dhe me qasjen e negociatorëve perëndimorë. Kështu që, çdo mënyrë e presionit që është ushtruar ndaj Prishtinës, duke filluar nga vendosja e sanksioneve, vetëm sa i ka hedhur vaj zjarrit”, thotë Weber për Radion Evropa e Lirë.
BE-ja ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës – përshirë pezullim fondesh dhe takimesh të nivelit të lartë – për shkak të tensioneve të larta në veri, të nxituara nga instalimi i kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.
Weber thotë se çdo masë e re ndëshkuese ndaj Kosovës do të kishte efekt joproduktiv.
Ai nuk pret që Kurti të lëshojë pe ndaj kërkesave të partnerëve perëndimorë, të cilët, siç thotë, “nuk kanë reaguar dhe ushtruar asnjë presion ndaj Beogradit”.
“Kam frikë se do të shohim vazhdimin e bllokadës dhe vazhdimin e presioneve, të cilat nuk do të sjellin dobi deri në vitin e ardhshëm. Kam frikë se, përfundimisht, në kryeqytetet perëndimore do ta pranojnë se i gjithë ky kapitull aktual i bisedimeve politike apo dialogut politik, si dhe e gjithë kjo qasje që ka nisur me iniciativën gjermano-franceze, nuk ka pasur sukses, por ka dështuar”, thotë Weber.