Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se veriu i Kosovës rrezikon që të vendoset në një administrim ushtarak dhe civil për shkak të sjelljes së qeverisë Kurti. Ai tha se qeveria e ka humbur legjitimitetin, dhe kjo sipas tij, dëshmohet edhe me shtimin e forcave të KFOR-it
“Qeveria që po sillet në këtë formë, tregon qartë se nuk ka asnjë plan se si të dilet nga kjo situatë. Nuk kemi agjendë në mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut, nuk kemi plan detaj për përfundimin e bojkotit të serbëve në këto komuna, nuk kemi mënyrë se si të menaxhojmë situatat eventuale në rrethanat e përkeqësimit, dhe në anën tjetër kemi rritjen e KFOR-it. Kanë marrë autorizime të reja pa pyetur askënd dhe krahas ushtrimit të detyrave në siguri, zëvendësojnë edhe rolin e policisë speciale në rrethana që mund të përkeqësohen. Praktikisht as zoti Kurti dhe ministrat e tij nuk mund të shkojnë në asnjë komunë në veri pa lejen e KFOR-it” tha ai.
Dhe në emër të sovranitetit, Sipas Hazirit, ata kanë humbur një lloj legjitimiteti për ushtrimin e detyrave të rregullta ditore si përfaqësues të ekzekutivit.
“Rreziku më i madh është që ai vend potencialisht të vendoset në një administrim ushtarak dhe civil dhe të shkëputet roli i qeverisë së Kosovës sepse nervozizmi i djeshëm i Kurtit, paqartësia e tij dhe mënyra se si gjen fajtor në Bruksel për mossuksesin në bisedime tregon qartë që po e përkeqëson krejt rolin tonë në ushtrimin e sovranitetit në këto katër komuna në veri të Kosovës.”, theksoi Haziri gjatë intervistës për “Ballkan Update”.