Vendos gjykata, 48 orë paraburgim ndaj dy edukatoreve të dyshuara për dhunën ndaj 3-vjeçarit

Një rast tronditës është zbuluar në institucionin parashkollor ‘Gëzimi ynë’ në Fushë Kosovë, ku një fëmijë 3-vjeçar dyshohet se u dhunua fizikisht nga dy edukatore.

Këto të fundit janë shoqëruar dhe janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Policia e Kosovës njofton se pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarave t’u caktohet masa e ndalimit policor.

“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave;  N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe  N. H, femër, 56 vjeç, shtetase  Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa 3-vjeçari, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa tashmë janë publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija.