Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qytetarët po e paguajnë faturën e paditurisë së qeverisë.
Ish-kryeministri Hoti ka thënë se është duke ndodhur kaos me pagesat e tatimit në pronë.
“Masa e përkohshme, e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që e pezullon zbatimin e Ligjit Nr.08/L-224 lidhur me tatimin në pronë vlen deri më 30 nëntor 2023. Ndërkaq, sipas ligjit në fuqi Nr.06/L-005, më 30 shtator 2023 është afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.
Postimi i plotë:
Qytetarët po e paguajnë faturën e paditurisë së qeverisë!
Është duke ndodhur kaos me pagesat e tatimit në pronë. Masa e përkohshme, e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, që e pezullon zbatimin e Ligjit Nr.08/L-224 lidhur me tatimin në pronë vlen deri më 30 nëntor 2023. Ndërkaq, sipas ligjit në fuqi Nr.06/L-005, më 30 shtator 2023 është afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë.
Me shumë të drejtë kemi kërkuar që faturat e rivlerësuara të tatimit në pronë të fillonin së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm. Arsyeja ishte e thjeshtë: u dyfishua barra tatimore për shumë qytetarë dhe biznese pa asnjë njoftim paraprak dhe kishte plot të meta sa i përket zonimit të lagjeve.