Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka quajtur të gabuar sjelljen e kryeministrit Albin Kurti ndaj emisarit të akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.
Ymeri thotë se përderisa dialogu do të ndërmjetësohet nga po e njëjta Zyre, ky armiqësim me ndërmjetësuesit nuk është i mirë për Kosovën. Thotë se Borrell e Lajçak e kanë përkrahjen e vendeve anëtare të BE-së dhe se në atë pozitë nuk janë si emër i përveçëm.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Ymeri tash drejtues i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë se “lufta” me Bashkimin Evropian e dëmton Kosovën. Thotë se kjo situatë, më shumë krijon problem se sa gjen zgjidhje.
“Së pari, sjellja është e gabuar për një proces të dialogut i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga po kjo Zyre, përveç nëse kryeministri ka ndonjë informatë që do të ndryshojë formati edhe vendi i dialogut. Atëherë nëse vazhdojmë me të njëjtit, mendoj që ky armiqësim me ndërmjetësuesit nuk është i mirë për Kosovën, aq më tepër kur dihet që këtu nuk jemi duke folur për emër të përveçëm. Zotëri Borrell është në zyre me përkrahjen e 27 vendeve anëtare, ka edhe punë tjera përveç Kosovës dhe ai është caktuar në pozitë sepse është parë i duhuri nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht ato që kanë peshë politike dhe besimin e plotë tek te dytë për ta ndërmjetësuar dialogun”, thotë Ymeri.
“Kur kryeministri ynë del dhe akuzon këta që i kanë mbajt anën Serbisë publikisht, atëherë unë mendoj që kjo tregon për një problem jashtëzakonisht të madh që po e ndërtojmë ne me Bashkimin Evropian apo me mosbesimin që po e tregojmë karshi BE-së. Diskutimi në publik e paraqet një ‘luftë’ diplomatike në këtë rast të cilën nuk mund ta kthesh mbrapa më dhe mendoj që krijon më shumë armiqësim se sa gjendet zgjidhja”, thotë tutje Ymeri.
Teksa ka folur për akuzat e pushtetit ndaj ndërmjetësve të dialogut, Ymeri mendon ndryshe. Thotë se ata nuk mund të ofrojnë zgjidhje nëse një gjë e tillë nuk mungon vullneti i palëve.
“Roli i ndërmjetëseve formalisht është kjo, pra ata janë ndërmjetës e ata nuk mund të gjejnë zgjidhje. Ata mund të propozojnë zgjidhje duke i dëgjuar qëndrimet e palëve, pra nëse nuk ka vullnet mes palëve nuk mund të kesh sukses në negociata. Me përjashtim të rasteve kur imponon e ato më pastaj nuk kishin me qenë demokratike. Shembull e kemi një plan të tillë me planin franko-gjerman që sipas kryeministrit Kurti ka ardhë në formën e merre ose lere, mirëpo një kushtëzim të tillë nuk mund ta bëjnë ndërmjetësit, mund ta bëjnë shtetet anëtare që kanë fuqi diplomatike e ekonomike, prej të cilave ne kemi interes dhe mendoj se duhet parë këtë dialog në këtë frymë”, thotë Ymeri.
Krahas ankesave nga pushtetarët për “mbajtje anash” të Bashkimit Evropian, Ymeri ka kërkuar të përmirësohet pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Thotë se njëjta nuk mund të bëhet me kërcënime e kacafytje.
“Tash ku e kam unë problemin me mënyrën se si janë sjellë ndërmjetësit e deri diku një pjesë e konsiderueshme e botës perëndimore, është që nganjëherë për sytë e tonë dhe natyrisht për qejfin si kosovarë, shpesh na duken që po janë shumë më të butë ndaj Serbisë sa që po janë ndaj Kosovës. Kjo po besoj është një prej vërejtjeve që besoj secili qytetarë i Republikës, mirëpo ne këtë e themi nga prespektiva subjektive që e kemi ne për procesin që nuk është këndvështrim i njëjtë që e kanë edhe perëndimorët për procesin dhe marrëveshjen me të dyja vendet. Në këto situata për kundër asaj që ne shpesh herë mund të ndihemi që po na bëhet e padrejtë edhe kur është objektivisht e padrejtë, mendoj që duhet të jemi megjithatë në nivelin politik më të zhdërvjelltë e pragmatik në mënyrë që ta përmirësojmë pozitën e Kosovës përmes rrugëve diplomatike sepse nuk mund ta përmirësojmë përmes kërcënimeve e të kacafytjes”, thotë Ymeri.