Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në takim me Cholletin e Escobari, Osmani tha se suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.
“Suksesi i dialogut varet nga qasja parimore dhe e barabartë për zbatimin e plotë të marrëveshjes, por edhe nga angazhimi dhe roli prijës i SHBA-ve, e cila është çelësi për përmbylljen e suksesshme të dialogut dhe që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa, në njoftimin e tij, Chollet tha se me Osmanin patën diskutim të mirë mbi përkushtimin e përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës e nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet.
“Diskutim i mirë me presidenten Vjosa Osmani, mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, nevojën për të de-eskaluar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe i integrimit në Bashkim Evropian”, shkroi Chollet.
Kujtojmë se Osmani ka udhëtuar në ShBA në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.