Lumir Abdixhiku, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka prezantuar programin “Rruga e Re” sot, duke shpalosur vizionin e LDK-së për të ardhmen e vendit.
Ai ka thënë se gjatë këtyre dy viteve ka mbledhur mendimet e shumë profesionistëve të vendit dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të mediave, shoqërisë civile, profesorë universitarë dhe biznesmenë, të cilët kanë kontribuar në hartimin e këtij plani ambicioz për të ardhmen e Kosovës.
Së fundi, kreu i LDK-së publikoi edhe 50 zotimet nga gjithsej 100 që do t’i paraprijnë programit të LDK-së.
Rritja ekonomike për 4-5 % në vit, rritja e koeficientit të pagës, gazifikimi i Kosovës, ndërtimi i Qendrës së Spitalore në Prishtinë, ndërtimi i autostradave të Gjilanit dhe Pejës, përfundimi i magjistraleve për Mitrovicë dhe Podujevë brenda pak muajve, sigurimet shëndetësore, janë disa nga zotimet e programit “Rruga e Re”.
Ndër zotimet e Abdixhikut është edhe premtimi për shpërblimin prej 5 mijë euro për familjet të cilave u vie në jetë edhe fëmiu i tretë.
Po ashtu, pjesë e zotimeve janë edhe sigurimet jetësore për policët, digjitalizimi i gjykatave, kodimi si lëndë obligative, 5 stadiume rajonale e shumë projekte të tjera.
Mes zotimeve të LDK-së është edhe “Themelimi i Agjencionit për Mërgatë” për të cilin thuhet se do të formohet brenda Zyrës së Kryeministrit.
Abdixhiku ka deklaruar se programi do të prezantohet i plotë në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti.
Ai ka ftuar qytetarët të lexojnë dhe të ndajnë mendimet e tyre për projektet e prezantuara, duke theksuar se ‘Rruga e Re’ do të jetë një “udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë kohës”.