Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka prezantuar programin “Rruga e Re”, që përfshin 100 projekte apo zotime të kësaj partie.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka publikuar pjesën e parë të këtyre zotimeve dhe ka paralajmëruar publikimin edhe të pjesës tjetër të këtyre projekteve.
Rritja ekonomike për 4-5 % në vit, rritja e koeficientit të pagës, Gazifikimi i Kosovës, ndërtimi i Qendrës së Spitalore në Prishtinë, ndërtimi i autostradave të Gjilanit dhe Pejës dhe përfundimi i magjistraleve për Mitrovicë dhe Podujevë brenda pak muajve, sigurimet shëndetësore dhe sigurime jetësore për policët e Kosovës, këto janë disa nga zotimet e programit “Rruga e Re”.
“Ato janë të elaboruara në një program voluminoz e të detajuar, i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti. Ju ftoj t’i lexoni ato. Të jepni mendimet tuaja për to. Të diskutojmë bashkërisht për to, e në raste dhe t’i pasurojmë ato. ‘Rruga e Re’ fundja do të jetë një udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë gjithë kohës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, duke ia bashkuar shkrimit edhe fotografitë ku prezantohen pikat e programit.
Sipas Abdixhikut, LDK për më shumë se dy vjet ka takuar dhe ka dëgjuar qytetarët e Kosovës dhe ekspertë të fushave të ndryshme në Kosovë dhe siç është shprehur ai “pas gjithë dëgjimit të bërë, është koha të flasim”.
“Ne duam të flasim për të ardhmen. E shkuara s’na kthehet më. S’kemi pse humbasim kohë. E ardhmja po na ikën përpara. Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha. Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet. Duam të flasim për atdheun tonë si një vend që pasurohet siç dhe e meriton; me një shoqëri moderne e me një gjeneratë që e bën Kosovën të barabartë mes shteteve e kombeve evropiane”, ka shtuar Abdixhiku.
“E ardhmja jonë është e ndritshme. ‘Rruga e Re’ na shpie atje. Ne kemi gjetur rrugën përpara; është koha ta bëjmë të njëjtën së bashku”, përfundon statusi i kreut të LDK-së.