Kurti me ministrin izraelit diskutojnë mundësinë e linjës ajrore sezonale, Tel Aviv – Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Ministrin e Turizmit të Izraelit, Haim Katz.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin në fushën e turizmit, me ç’rast është folur për mundësinë e hapjes së një linje direkte sezonale ajrore Tel Aviv-Prishtinë.

“Diskutuan në lidhje me mënyrat e bashkëpunimit, sidomos në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave dhe mbi mundësinë dhe arsyeshmërinë e hapjes së një lidhje direkte ajrore sezonale Tel Aviv – Prishtinë, si dhe për format e lehtësimit të udhëtimit të qytetarëve në drejtim të të dy vendeve”, bën të ditur komunikata e ZKM-së.

Ministri Katz është shprehur optimist se, në një të ardhme të afërt, Kosova do të bëhet destinacion i vizitorëve izraelitë.

“Ministri Kazt, u shpreh falënderues për takimin dhe për mikpritjen që e ka përjetuar gjatë gjithë qëndrimit të tij në Kosovë. Gjithashtu u shpreh i kënaqur me vendet dhe lokalitetet kulturore, arkeologjike e historike që Kosova ka, e të cilat do të mund të tërheqin vëmendjen e interesimin e vizitorëve nga Izraeli, dhe qe i gatshëm që të ndajë me Kosovën praktikat më të mira në turizëm. Ai tha se është optimist se në një të ardhme të afërt Kosova do të bëhet destinacion i vizitorëve izraelitë”.