Kanë mbetur edhe dy ditë prej kur pritet të ndodh takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq.
E para këtij takimi ka folur ish-kryenegociatorja Edita Tahiri. Ajo ka thënë se platformën e kryeministrit nuk e di askush.
“Platformën e Kurtit askush nuk e di, vetëm Vuciqi do ta di në takimin e radhës – çfare privilegji për armikun”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Më 14 shtator, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel do të mbahet rundi i ri i dialogut në nivel të lartë.
Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.
Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.
Kryetarët e rinj shqiptarë që dolën nga këto zgjedhje po kundërshtohen nga serbët lokalë. Hyrja e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit, rriti tensionet të cilat u përshkallëzuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, pas përleshjes së protestuesve serbë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime.
Së fundi, Kosova ka paraqitur një udhëzim administrativ që u mundëson qytetarëve të largojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.
Kosova po ashtu po kërkon që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit që arriti me Serbinë në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.
Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Kosova kërkon që në fund të procesit të arrihet një marrëveshje ku do të përfshihej edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi-pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.