Pak ditë para takimit të 14 shtatorit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, partitë opozitare kanë kritikuar shefin e qeverisë kosovare për qasje të gabuar në proces të dialogut.
Sipas tyre, Kosova po shkon në dialog e sanksionuar nga BE-ja dhe si palë e pabarabartë si rezultat i gabimeve të kryeministrit Kurti në këtë proces. Megjithatë, në partinë në pushtet presin që takimi të fokusohet në sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Kurti ia ka bërë një dëm të madh Kosovës, duke e dërguar në proces të dialogut të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Ai kritikoi Kurtin edhe për mungesë të transparencës në këtë proces si dhe për mos respektim të rezolutës ku obligohet që para çdo raundi të dialogut të raportojë në Kuvend.
“Ne jemi ata që jemi të sanksionuar, fatkeqësisht si rezultat i politikave dhe drejtimit të gabuar të kryeministrit Kurti. Nuk shkon Serbia e sanksionuar, por shkon Kosova e sanksionuar, andaj ky është një dëm jashtëzakonisht i madh që kjo qeveri i ka bërë vendit gjatë kësaj periudhe të qeverisjes. Në anën tjetër, normalisht se unë nuk mund të paragjykojë se si do të jetë rezultati i këtij takimi, pasi kryeministri Kurti në këtë proces e karakterizon një jo transparencë e madhe. Ai asnjëherë të vetme nuk e ka respektuar një rezolutë të cilën e ka votuar vetë sa ka qenë deputet i opozitës që të vjen dhe të raportojë në Kuvend para çdo raundi të dialogut… Situata që e ka krijuar zotëri Kurti (në veri) vetëm një njeriu i shkon përshtati, vetëm Aleksandër Vuçiqit. Ai e dëshiron veriun pa institucionet e Kosovës dhe këtë dëshirë ia ka plotësuar Albin Kurti”, tha ai.
Pritje të vogla për takimin e radhës Kurti-Vuçiq ka deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Ai shtoi se Serbia po favorizohet në këtë proces, derisa Kosova është nën sanksione.
“Derisa nuk ka bisedë për njohje reciproke kjo është vetëm një lojë në grackën e Aleksandër Vuçiqit, ku Serbia tashmë po shihet që është e favorizuar, derisa Kosova është nën sanksione”, theksoi Zemaj.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se dialogu i Kurtit po e mban Kosovën peng dhe në krizë.
“Dialogu ashtu siç po e menaxhon dhe udhëheq kryeministri Kurti është ka e mban Kosovën peng, në krizë dhe nën sanksione. Ai duhet të jep një sqarim pas 14 shtatorit se çka do të bëjë. Ky pozicion i ka krijuar disa rrethana që pa asnjë dyshim po e kthen Kosovën prapa, po e kthen krizën dhe po e dëmtojnë Kosovën si në rrafshin e jashtëm ashtu edhe në atë të brendshëm”, theksoi Tahiri.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kërkoi nga Bashkimi Evropian që të bëjë vlerësime të drejta dhe të sakta se cila palë është destruktive në dialog.
Ajo theksoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
“Ajo çka Kosova në vazhdimësi ka treguar është përkushtim për zbatimin e marrëveshjeve. Tashmë kemi 1 vit prej kur është prezantuar plani franko-gjerman, në kuadër të cilit janë edhe dy marrëveshje që ka ndodhur në Bruksel dhe Ohër. Kemi pa se palë desktrutive në proces në vazhdimësi ka qenë Serbia, qoftë me shkelje të këtyre dakordimeve apo edhe me ndërhyrje të drejtpërdrejtë në proceset në Kosovë, siç ishte ai me zgjedhjet lokale në veri. Ne presim që të paktën nga bashkësia ndërkombëtare të ketë vlerësim të drejtë dhe saktë mbi atë se cila palë është desktruktive”, tha ajo.
Këto komente ata i bën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën.