Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti është paralajmëruar për krizën e mungesës së punëtorëve në sektorin privat, duke shtuar se ai do të bjerë nga pushteti siç ka ardhur.
Sipas Azemit, Kurti nuk ka bërë asnjë përmirësim në kushtet e punëtorëve të sektorit privat.
“Ashtu siç ka ardhur ky kryeministër, ashtu edhe do të shkojë sepse s’e ka bërë as punën më të vogël për përmirësimin e kushteve të punës së sektorit privat, e në disa kushte kemi shkuar në regres. Problemet që i kemi i kemi adresuar, ne s’mund t’ia marrim dorën kryeministrit dhe të nënshkruajmë për pagën. Ne kemi bërë kalkulimin se nën pagën 400 euro s’mund të jetë minimalja. I kemi shkruar Kurtit e ministrit të Financave me shkresa, kemi bërë krejt atë që bënë një sindikatë, por Qeveria e Ministria e Financave s’e ka bërë as punën më të vogël karshi Sindikatës së Sektorit Privat”, ka deklaruar ai të hënën në KTV.
Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat ka theksuar se paga minimale në Kosovë duhet të jetë 600 euro, në mënyrë që një familje të ketë kushte dhe stabilitet financiar.
Ai akuzoi Qeverinë Kurti se në raport me sindikatat, ka krijuar bllokim total të bashkëpunimit.
“Qeveria e Kosovës me të gjitha sindikatat kanë një bllok total sa i përket dialogut social, kemi kërkuar në vazhdimësi por mund të themi për t’u zgjedhur një problem s’mjafton vetëm punëtori e sindikatat, por edhe Qeveria e kompania. Derisa legjislacioni ka bërë aq sa kanë bërë të tjerët, s’kemi krijim të kushteve më të mira të punës. Çështja e mbikëqyrjes së ligjit, marrëveshjes kolektive e krijimi të kushteve më të mira është obligim direkt që ne s’kemi parë sinjalin më të vogël…Kemi humbur hapin pasi Qeverisë i kemi kërkuar që të ndalim këtë fuqi punëtorë, të rrisim pagat aq sa mundemi”, është shprehur Azemi.
Pagën minimale prej 260 eurove Azemi e ka cilësuar si “hajgare”, duke theksuar se mungesa e pagës së dinjitetshme po i detyron punëtorët kosovarë të ikin jashtë vendit.
“Është mungesë e punonjësve tejet e madhe. Ajo e 1 janarit po ndodh tash, s’ka që të presim të bëhet mirë. Dikush me kontrata të punës, dikush në forma të ndryshme por jam i bindur se kompanitë me 2-3 punëtorë kanë mungesë.”
Kreu i Sindikatës ka potencuar se nëse fuqia punëtorë nuk stimulohet me pagesë, do ta lë edhe vendin e punës për t’u larguar jashtë. Sipas Azemit, zëvendësimi i punëtorëve që lënë punën është i vështirë.