FSK e gatshme të ndihmojë pas tërmetit në Marok​

Forca e Sigurisë së Kosovës është shprehur e gatshme të ndihmojë shtetin e Marokut pas tërmetit që la të vdekur shumë persona.

Kështu ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Maqedonci, ka shprehur keqardhje për situatën e shkaktuar në Marok, si pasojë e tërmetit të fuqishëm, me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit, i cili shkaktoi pasoja katastrofale.

“Në këto çaste të vështira për mbretin e Marokut, Mohammed VI dhe popullin marokien lutjet tona janë me ta. Ministrit Loudiyi i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitetet tona të specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura. Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Lutemi që ta kaloni këtë sfidë të rëndë!”, ka theksuar me këtë rast ministri Maqedonci.

Nga tërmeti shkatërruar, më i rëndi në 60 vitet e fundit, që të premten mbrëmë goditi Markon, kanë humbur jetën mbi 2 mijë persona dhe 1.400 tjerë janë në gjendje kritike.