Në një intervistë për mediumin estonez “Delfi”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi mes tjerash shqetësimet në rritje për përfshirjen e vazhdueshme të Rusisë në tensionet e shtuara ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, veçanërisht në komunat veriore të Kosovës.
Ai tha se kishe pranuar “letër kërcënuese nga terroristët” lidhur me sekuestrimin e një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri të vendit nga Policia e Kosovës. Në intervistë, kreu i qeverisë së Kosovës foli edhe për posedimin e provave që “disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit”.
Kurti tha se pak para intervistës për këtë medium, kishte pranuar një “letër me përmbajtje kërcënuese nga grupet terroriste” në lidhje me sekuestrimin e një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në veri të vendit nga Policia e Kosovës.
Ai tha se “terroristët talleshin me armët e sekuestruara”, duke pretenduar se ato ishin “vetëm një pjesë e vogël e inventarit të tyre.”
“Dje kemi konfiskuar një sasi të madhe municionesh dhe kallashnikovë nga një shtëpi në një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pak para se të vija në intervistë, mora një tjetër letër kërcënuese nga terroristët, ku thuhej me tallje se armët që kishim sekuestruar ishin vetëm një pjesë e vogël e pajisjeve të tyre.” – ka deklaruar Kurti.
I pyetur nëse mendon se Rusia është e përfshirë në situatën e tensionuar në Kosovë, Kurti tha se ka “dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit”.
Shefi i qeverisë më tej citohet të ketë thënë se anëtarët e grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, një klub rus i motoçiklistëve i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me Kremlinin, kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar.
Sipas Kurtit, këta persona kishin krijuar lidhje të ngushta me organizatat terroriste që veprojnë në rajon.
“Kemi dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit. Disa anëtarë të Wagner dhe Ujqërve të Natës (një klub rus i tërbuar motoçikletash i mbështetur nga Kremlini – red.) erdhën në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar dhe kanë lidhje të ngushta me dy organizatat terroriste. Dhe një organizatë terroriste po dërgon kërcënime me vdekje për mua dhe ministrin tim të brendshëm.” – deklaroi ai.
Më tej, Kurti foli edhe për stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Rusisë dhe Serbisë dhe Gazpromit rus si dy faktorë që tregojnë lidhjet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.
Ai përmendi edhe votat ruse dhe serbe “kundër sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës” si dëshmi të afërsisë mes këtyre vendeve.
“Bashkëpunimi ushtarak midis Rusisë dhe Serbisë është rritur vitet e fundit. Vëllazëria Sllave dhe Mburoja Sllave (stërvitje të përbashkëta ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë – red.) vlen të përmenden veçanërisht, si dhe lidhjet e ngushta të Beogradit me Gazpromin rus. Në seancat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën, Serbia së bashku me Rusinë kanë votuar kundër sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës. Përveç kësaj, Serbia përgjon opozitarët rusë anti-Putin, për shembull ata ekstraduan Vladimir Kara-Murza (politikan i opozitës ruse – red.) në Moskë.” – tha Kurti.