Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Bashkimi Evropian pritet t’i heq masat ndaj vendit tonë, para takimit Kurti-Vuçiq të 14 shtatorit në Bruksel.
Bislimi ka mohuar se ka barriera tregtare për mallrat e prodhuara në Serbi, duke thënë se ka disa barriera që aplikohen për produktet kosovare që tentojnë të hyjnë në tregjet brenda territorit të Serbisë.
Ai duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë një interviste për Danas, ka thënë se zgjidhja e konfliktit dhe dialogu nuk ka të bëjë me fitimin e njërës palë dhe humbjen e palës tjetër, pasi të gjithë do të përfitojnë nga një normalizim i plotë, duke përfshirë rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.
Sipas tij, të gjithë humbasim nga mbajtja e armiqësive. Ai ka folur edh epër masat e vendosura ndaj Kosovës nga BE.
“Dialogu është shumëplanësh, por sipas mendimit tonë ai duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore, konkretisht zbatimin e marrëveshjes bazë dhe bisedimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kosova mbështeti marrëveshjen bazë dhe ofroi nënshkrimin e saj. Pala tjetër refuzoi nënshkrimin dhe po rikonfirmon çdo ditë qëndrimin se nuk e ka pranuar planin, por edhe po punon shumë për shkeljen e dispozitave të tij. Strategjia më e mirë për të penguar haptazi zbatimin e saj është përmes përshkallëzimit dhe Serbia është shumë e suksesshme në këtë.
Serbia jo vetëm që e ka ridrejtuar dialogun e Brukselit nga normalizimi në menaxhimin e krizës, por ka arritur gjithashtu të promovojë BE-në nga një lehtësues në një negociator. Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”.