35 për qind e premtimeve që dhanë kryetarët e komunave në zgjedhjet komunale, as nuk kanë filluar të përmbushen.
Sipas një hulumtimi që Instituti GAP e ka publikuar të enjten deri më tani janë përmbushur 26 për dinë të premtimeve, gjysmë të përmbushura konsiderohen 16 për qind e 23 për qind e tyre kanë filluar të përmbushen.
“Nga gjithsej 1,816 premtime të 27 kryetarëve të komunave, 473 premtime (26%) janë përmbushur, 285 premtime (16%) janë gjysmë të përmbushura, 422 premtime (23%) janë të filluara, dhe 636 (35%) e premtimeve mbeten të pa filluara”, thuhet në hulumtimin që përfshin periudhën deri në fund të muajit qershor të këtij viti.
Sipas hulumtimit numri më i madh i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike.
“Tek fusha e arsimit prijnë përmbushja e premtimeve në ofrimin e bursave, në krijimin e kabineteve dhe laboratorëve, në mirëmbajtjen e hapësirave shkollore, transparencës në përzgjedhjen e stafit, si dhe mbulimin e transportit për nxënësit. Tek fusha e ekonomisë, disa nga premtimet e përmbushura ndërlidhen me mbështetjen e bizneseve të reja, krijimin e zyrave për biznes, dhe mbështetjen e bizneseve në promovimin e produkteve të tyre. Kurse tek fusha e shërbimeve publike, parkingjet për automjete, shenjëzimi dhe sinjalizimi në komunikacion, ndriçimi publik, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra, janë ndër premtimet që janë përmbushur nga më shumë kryetarë të komunave. Në fushën e kulturës, janë përmbushur premtimet si organizimi i festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme, ndarja e mjeteve buxhetore për mbështetjen e aktiviteteve teatrale, atyre të galerive dhe organizimeve të tjera kulturore”, thuhet në komunikatën e GAP-it.
Ndërsa numri më i vogël i premtimeve të përmbushura thuhet se është nga fusha e urbanizimit, sportit dhe infrastrukturës. “Në këtë të fundit, nga gjithsej 199 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, deri më tani janë përmbushur vetëm 13 premtime (7%). Në periudhën e njëjtë të mandatit të kaluar, kjo fushë printe me numrin e premtimeve të përmbushura. Ngecje vërehet edhe në fushën e urbanizimit, sikurse në hartimin e planeve rregulluese, planeve zhvillimore urbane dhe hartave zonale”, thuhet në komunikatë.
Instituti GAP bën monitorim periodik të realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës, kjo pasi disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore.
“Kryetarët e komunave sikurse Mamusha dhe të dhjetë komunave të banuara me popullatë me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete”, thuhet në komunikatë.