Politikani gjerman kritika të ashpra Borrellit e BE-së: Po bëni politikë të njëanshme në favor të Serbisë

Politikani gjerman dhe deputeti i Parlamentit Evropian, Reihnard Butikofer, ka reaguar pas takimit që Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Ai ka thënë se e mirëpret faktin që Sekretari i NATO-s nuk po iu bashkohet shumë politikanëve të SHBA-së dhe BE-së të cilët kanë refuzuar të kenë shkëmbime diplomatike së fundi.

Butikofer ka shkruar se politika e SHBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë është e njëanshme në favor të Beogradit zyrtar, dhe sipas tij janë vendosur standarde të dyfishte duke injoruar në masë të madhe se Kosova ka kaluar nëpër dhimbje të mëdha për t’i bërë vlerat evropiane një matës për politikën e tyre.

Politikani gjerman ka thënë se situata në rajon mund të destabilizohet edhe më shumë si rezultat i qasjes së gabuar të SHBA-së dhe BE-së. Ai i ka bërë thirrje Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, që “të lë prapa paragjykimet spanjolle anti-kosovare” dhe të mësojë nga Stoltenberg, për të rifilluar menjëherë dialogun me Kosovën.

Butikofer e pranon që edhe Qeveria e Kosovës ka bërë gabime, por thotë se është e papranueshëm dhe joevropiane që Kosova të sanksionohet rëndë, në ndërkohë që tolerohen me durim të pafund të gjitha veprimet e Vuçiqit, përfshirë edhe mobilizimin që ai ua bën bandave të dhunshme.

“Situata në Ballkanin Perëndimor destabilizohet më tej përmes pozicionimit të gabuar të BE-së dhe SHBA-së. HRVP Josep #Borrell më në fund duhet të lërë prapa paragjykimet anti-kosovare të atdheut të tij spanjoll, të mësojë nga Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg dhe të rifillojë menjëherë dialogun e nevojshëm me Kosovën. Pa dyshim, gabime ka bërë edhe qeveria e Kosovës. Por është thjesht e papranueshme dhe madje joevropiane ta sanksionosh atë rëndë, ndërkohë që të gjitha veprimet e presidentit serb #Vuçiç kundër angazhimeve të tij, duke përfshirë mobilizimin e tij të bandave të dhunshme të banditëve, tolerohen me durim të pafund”, ka shkruar Butikofer.