Finalizohet udhëzimi administrativ: Disa qese të plastikës ndalohen e disa do të bëhen me pagesë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media bashkë me zëvëndës shefin e bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi dhe shefen e Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, Vera Baumann, i falënderoj ata për bashkëpunimin për eliminimin e qeseve të plastikës.

“I falënderoj edhe zyrën e BE-së edhe qeverinë Gjermane për ndihmën dhe bashkëpunimin qe kemi pasë dhe vazhdojmë ta kemi në politikat që kanë të bëjnë me ekonominë qarkore, në trajtimin e mbeturinave, e specifikisht në politikat që kanë të bëjnë me eliminimin e qeseve të plastikës si dhe me sistemin e rimbursimit të depozitës që ka të bëjë drejtpërdrejtë me shishet e plastikës, e që rezultuam në këtë udhëzim që është miratuar e që do të ketë drejtpërdrejt ndikim tek ambienti  duke i eliminuar qeset e plastikës dhe duke eliminuar shihet e pastikës”, u shpreh ai.

Aliu tha se do të ndalohen plotësisht qeset e holla plastike, ndërkaq ato që do të lejohen do të kushtojnë 5 cent.

“Në lidhje me pjesën e udhëzimit administrative që ka të bëjë me qeset e plastikës dua të informojë që do të kemi ndalim të prodhimit të qeseve të plastikës nga 0 deri në 25 micron, pra qeset e holla të plastikes që përdoren sot dhe mund të merren nëpër markete falas, do të ndalohen plotësisht, nga 0 deri në 25 micron do të lejohen vetëm qeset të cilat përdoren për frutat që nuk do t’i kenë mbajtëset, ndërsa qeset  nga 25 deri në 50 micron do të lejohet përdorimi i tyre, do të kushtojnë 5 cent, por nuk do të lejohet të kenë logo të prodhuesve apo të kompanive të ndryshme”, u shpreh ai.