“Mos themelimi i Asociacionit rrezikon sanksione të reja për Kosovën”

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk duhet të jetë kundër kushtetues.

Sipas tij, marrëveshja e arritur në Bruksel duhet të zbatohet pa kushtëzime. Opozita kritikon Qeverinë se është vonuar në hartimin e draft-statutit të Asociacionit.  Ndërsa, analistët thonë se Kosova rrezikon sanksione të reja nëse Qeveria nuk e themelon Asociacionin.

Takimi Kurti-Vuçiq i paralajmëruar për 14 shtator pritet ta rikthejë në qendër të diskutimeve kërkesën e Serbisë për themelimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe.  Kyreministri, Albin Kurti, tha gjatë ditës për një media sllovene se nuk pranojnë një bashkësi të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

‘’Janë dy marrëveshje për Bashkimin e Komunave Serbe, njëra e vitit 2013 dhe tjetra e vitit 2015. Këto janë vetëm dy nga 39 marrëveshjet që paraardhësit e mi si kryeministër i kanë lidhur në Bruksel. Dhe, neni 10 i marrëveshjes që e kam lidhur në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 27 shkurt, parasheh zbatimin e pjesëve që janë të vlefshme dhe të detyrueshme. Ne duhet ta zbatojmë plotësisht dhe pa kushte këtë marrëveshje bazë, pasi të gjitha çështjet e pazgjidhura trajtohen në këtë marrëveshje’’, tha Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së fundmi u shpreh ashpër ndaj kujtdo që themelon Asociacion sipas kërkesës së Beogradit zytar, duke e cilësuar si tradhëtar të Kosovës. Por, nga blloku opozitar akuzojnë Qeverinë për vonesa në krijimin e këtij asociacioni. Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, thotë se Kosova ka marrë obligim themelimin e tij.

‘’Kjo është një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe obligim i Kosovës që e ka marrë në Kuvend për themelimin e Asociacionit. Qeveria është dashur ta ketë draftin e Asociacionit me garancinë që statuti të shkoj në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Veliu.

Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ndërkaq ia sheh për të madhe opozitës kërkesën e vazhdueshme për themelimin e Asociacionit.

Politologu, Fidan Ukaj, rikujton se kryeministri Kurti e ka pranuar themelimin e Asociacionit në marrëveshjen e Ohrit, ndaj, duhet të lëvizë sa më shpejtë për themelimin e tij. Konsideron se në rast të mos zbatimit tëmarrëveshjes faktori ndërkombëtar do ta penalizojë Kosovën.
‘’Shmangja ose devijimi nga marrëveshja e Ohrit ku përfshihet edhe Asocaiconi, mendoj se do të ketë vetëm penalitete nga faktori ndërkombëtar. Nësa institucionet e Kosovës hezitojnë ta themelojnë asociacionin do të shtohen sanksionet ndaj Kosovë”, tha Ukaj.
SHBA-ja dhe BE-ja e kanë konsideruar si cështje urgjente themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./21Media