Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ftuar të dëshmojë në rastin e Dragisha Milenkoviqit nga Graqanica, i cili u arrestua në qershor për ktime lufte në vitet 1998-1999.
Dejan Vasiq, avokat i Milenkoviqit, ka dorëzuar dje kërkesën te Zyra e Kryeministrit që Kurti të dëshmojë në rastin e klientit të tij, pasi raportohet se Prokuroria Speciale paraprakisht ka miratuar kërkesën që shefi i Qeverisë së Kosovës të dëgjohet si dëshmitar i mbrojtjes.
“Pasi prokurori special aprovoi marrjen e provave duke dëgjuar si dëshmitar të mbrojtjes kryeministrin aktual të Kosovës, z. Albin Kurti, sot i kam dorëzuar kryeministrit një kërkesë të përsëritur për dëshmi përmes zyrës së qeverisë”, tha Vasiq për “Radio KM”.
“Pres që në ditët në vijim të pranohet dëshmia”, ka shtuar avokati.
Vasiq kishte paralajmëruar që më herët se do të kërkonte që Kurti të ishte dëshmitar në rastin e Milenkoviqit, pasi thotë se ai ishte i paraburgosur në një burg në Prishtinë në kohën kur Milenkoviq punonte aty.
“Nga ana e tij, ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual, dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ka kaluar shumë kohë në biseda”, tha Vasiq në një prononcim për portalin serb, Blic.
Dragisha Millenkoviq u arrestua më 21 qershor në Kishnicë. Prokuroria Speciale e akuzon atë për krime lufte ndaj popullatës civile në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999. Dyshohet se ai ka ushtruar sistematikisht tortura, dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe i ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit shqiptarë.