Forcat turke rezervë në kuadër të KFOR-it, të vendosura në Kosovë në muajin qershor, do të kthehen në Turqi të mërkurën, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.
Ministri Yashar Guler tha se Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global brenda kuadrit të detyrave në OKB, NATO, BE dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe monitoron nga afër zhvillimet në Ballkan, ku ekzistojnë vlera të përbashkëta historike dhe kulturore.
Turqia vendosi trupa shtesë në Kosovë në qershor në përgjigje të kërkesës së NATO-s pas tensioneve në pjesën veriore të vendit.
“Njësia jonë e dislokuar, pas mbërritjes së saj në kazermën Sulltan Murat në Kosovë më 6 qershor 2023, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurimin e paqes në Kosovë ndërmjet 10 qershorit dhe 31 gushtit dhe ka përmbushur me sukses misionin e saj”, thuhet në njoftim.
Ministria tha transferimi i tyre ka nisur sot, ndërsa do të përfundojë nesër.
Gjithashtu, u tha se Komanda e KFOR-it do të merret nga Turqia për një periudhë njëvjeçare duke filluar nga data 10 tetor 2023.