Ish-kryenegociatori Arifi: Albin Kurti e ka pranuar Asociacionin, Vetëvendosja s’ka fytyrë

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, do të zhvillohet më 14 shtator.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Ndërsa, më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Por se a do të ketë takim, dhe a do të arrihet një ujdi mes tyre, për FrontOnline ka folur ish-kryenegociatori, Avni Arifi.

Sipas tij, Serbia është e interesuar që të mos ketë asnjë hap përpara.

“Si duket takim do të ketë. Sa i përket ujdisë është vështirë të pritet që do të ketë diçka, pozicionet e qeverisë së Serbisë janë të njohura, janë të interesuar që të mos ketë asnjë hap përpara, pozicionet e Qeverisë së Kosovës janë të tilla çfarë janë dhe nuk garantojnë se do të ketë ndonjë zhvillim në kuptim të arritjes së ndonjë marrëveshje. E, vetmja gjë që nuk dihet është se çfarë do të jetë pozicioni i BE-së dhe negociatorëve dhe mbase e vetmja risi që mund të pritet është nga ndonjë pozicion i negociatorëve”, ka deklaruar Arifi

Ish-kryenegociatori Avni Arifi është shprehur skeptik që në një të ardhme të afërt të ketë marrëveshje finale me Serbinë.

Dhe se për këtë thotë se Serbia nuk ka interesim.

“Duket se të gjitha prognozat janë të zymta, Serbia nuk e ka interesimin e arritjes së marrëveshjes, nuk është e interesuar të ketë zgjedhje në veri, nuk është e interesuar që të ketë Asociacion të komunave, ata kryesisht po përpiqen që të shtyjnë procesin posaçërisht të kalojnë te viti zgjedhor në SHBA dhe BE dhe të mos ketë asgjë as këtë vit, por as në vitin tjetër”, është shprehur ai

Ndërsa, e pranon që Kosova është në një pozicion më të vështirë.

“Ne jemi në një pozicion shumë më të vështirë sepse arritja e marrëveshjes është interes direkt i Kosovës, pozicioni ekonomik në përgjithësi në Kosovë është bukur depresiv ku një pjesë e madhe e të rinjve po e lëshojnë Kosovën dhe më e keqja tash e reja është se ne kemi tash sanksione, masa të cilat gradualisht do të shihet që do të kenë efekt në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Për shkak të mosshstensionimit të situatës në veri të vendit kohë më parë Kosovës iu vendosën masa nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të njëjta vazhdojnë te jenë ende në fuqi.

Por, se ish-kryenegociatori Avni Arifi thotë se të tilla do të mbesin të paktën deri sa të realizohen në tërësi pikat e marrëveshjes së Bratislavës

Ndërsa, deklaron se ato nuk do të duhej të vendoseshin fare.

“Ne besojmë se nuk do të duhej të vendoseshin, por mënyra, qasja që ka bërë Qeveria e Kosovës që nga targat, pastaj mënyra qysh i është qas komunave veriore ne e kemi konsideruar si të gabueshme dhe ky është një realitet pa marrë parasysh se a pajtohemi apo jo, sanksionet janë një realitet dhe ato nuk pritet që të hiqen të paktën derisa të realizohen në tërësi pikat e marrëveshjes së Bratislavës, e si duket Qeveria e Kosovës nuk e ka për urgjencë implementimin e atyre pikave”, është shprehur Arifi

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politike të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Arifi ka thënë se duhet të shqetësohen të gjitha institucionet e Kosovës.

“Franca është një ndër vendet kryesore të Bashkimit Evropian bashkë me Gjermaninë, pozicioni i tyre politik duhet t’i shqetësojë të gjitha institucionet e Kosovës. Unë kam parë shumë analiza që kjo mund të bëhet, apo nuk mund të bëhet. Natyrisht, që mund të bëhet gjithçka sa i përket Bashkimit Evropian që Franca e sponsorizon. Institucionet e Kosovës duhet ti marrin shumë me seriozitet qëndrimet e liderëve evropianë. Franca është ndër shtetet që e ka ndihmuar Kosovën, kanë marrë pjesë në bombardime dhe është shteti i pestë që e ka njohur Kosovën dhe kritikat që vijnë nga Franca meritojnë një reagim më diplomatik dhe një reagim më miqësor se sa çfarë ishte reagimi nga Kosova”, ka deklaruar ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Të pabesueshme po e vlerëson këtë deklaratë ish-kryenegociatori Avni Arifi.

Sipas tij Kosova do të paguajë për këto reagime.

“E pabesueshme, që një reagim të tillë ta dëgjosh nga presidentja e Kosovës, është më të vërtetë e pabesueshme. Liderët politik të Kosovës në reagimet e tyre me liderët botërore kemi parë reagime ndaj Blinken nga kryeministri Kurti, kemi parë reagime masovike ndaj Chollet, ndaj Lajçak, Borrell dhe liderëve botërorë. Këto reagime nuk i sjellin të mira Kosovës, Kosova do të paguajë për këto reagime, por si duket liderët politik të Kosovës kanë gjet njerëz që paguajnë për këto, ata janë populli i Kosovës i cili po i ban këto dhe le të vazhdon me pagu”, ka thënë Arifi

Ish-kryenegociatori Avni Arifi ka folur edhe për çështjen e Asociacionit.

Ai, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar këtë të fundit.

“Natyrisht nëse i shikojmë postimet, çdo qëndrim politik që e ka pas kryeministri Kurti e ka shkelë prej që ka ardhë në pushtet. Ai e ka pranuar Asociacionin, kurse pozicioni i tij se tash Asociacioni duhet të bëhet por në sekuencë me marrëveshjet tjera, me një sekuencë që ai dëshiron ta imponojë si duket nuk po gjen hapësirë te bashkësia ndërkombëtare. Kjo është kërkesë, është obligim i bashkësisë ndërkombëtare që Kosova e ka pranuar, dihet kurrë nuk ka qenë temë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe asnjë subjekt politik nuk e ka përkrah një Asociacion me kompetenca ekzekutive, tash po presim se për çfarë Asociacioni paska qenë kundër Kurti”, ka thënë ai

Sipas tij, sikurse kryeministri Kurti ta dorëzonte më herët draft-statutin e Asociacionit për palën kosovare dialogu do të ishte më i lehtë.

“Draft-statuti është kërkuar moti, sa më herët ta kish dërguar kryeministri Kurti besoj se do të ishte më lehtë për dialogun dhe për palën kosovare. Fatkeqësisht qeveria e Kosovës nuk ka dërguar kurrë statut, ka tentu që të iniciojë në një proces përparimet e një Asociacioni por i cili nuk ka has në përkrahje, pra mbetet obligimi ndërkombëtar që ka Kosova qoftë dhjetë vite më parë, qoftë tash me dy marrëveshjet  e fundit. Kosova ka marrë obligim, liderët politik të Kosovës kanë premtuar se do ta implemtojnë Asociacionin dhe që të gjithë presin nga kryeministri Kurti që ta implementojë”, ka shtuar ai.

Arifi thotë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, pa kompetenca ekzekutive dhe pa nivel të tretë të pushtetit

“Ekziston një konsensus euroatlantik që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe të mos jetë nivel tjetër i pushtetit dhe besoj se është interes i Kosovës që liderët politik është dashtë që ta shfrytëzojnë këtë momentun dhe të vijën me një draft-statut që kish me i përmbush kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, por gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pa kompetenca ekzekutive dhe pa nivel të tretë të pushtetit”, është shprehur ndër të tjera ai.

Ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, kur është pyetur se a ka argument Lëvizja Vetëvendosje të flet për qeverisje me duar ta pastra në zgjedhjet e ardhshme, ka thënë se këta nuk kanë e as nuk kanë pasur kurrë fytyrë.

Sipas tij, kjo parti nuk i ka ofruar asnjëherë perspektivë të ndritur popullit të Kosovës

“Është krijuar një farë fryme, përkrahje e Lëvizjes Vetëvendosje ku edhe të keqes po i thuhet e mirë. Sa i përket fytyrës nuk besoj se kanë fytyrë dhe nuk kanë pas kurrë, as kur është në pyetje korrupsioni, as kur është në pyetje patriotizmi, as kur është në pyetje atdhedashuria e as e ardhmja e vendit. Kurrë një perspektivë të ndritur popullit të Kosovës Lëvizja Vetëvendosje nuk ia ka ofruar, por e kanë gjet një momentum të pakënaqësisë qytetarë me partitë e mëparshme dhe tash Kosova po shihet qartë veç ka filluar, por do të paguajë shumë, shumë shtrenjtë qeverisjen e tyre”, është shprehur Arifi.